Agro Reçi

Agro Reci – Historia dhe Vlerat

Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor “Agro Reçi” është një shembull i bukur i asaj që mund të arrihet përmes valorizimit të traditave, pasionit për punën dhe impenjimit të përbashkët.

E rithemeluar në vitin 2018, ajo i ka rrënjët në punën dhe sakrificat dhjetëravjeçare të një grupi të apasionuar fermerësh dhe blegtorësh të krahinës së Shkrelit.

Vlerësimi maksimal për njerëzit e punës, ruajtja dhe zhvillimi i traditave shumëshekullore të krahinës dhe respekti i thellë për mjedisin e bekuar ku kemi patur fatin të lindim dhe të jetojmë janë vlerat themelore që na kanë udhëhequr, me sukses, në veprimtarinë tonë të përditshme deri më sot.

Synimi kryesor i punës sonë është valorizimi i burimeve të jashtëzakonshme njerëzore, kulturore dhe natyrore të krahinës së cilës i përkasim.

Këtë rezultat e arrijmë përmes grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit, në Shqipëri dhe jashtë vendit, të disa ekselencave unike të territorit tonë, si gështenja e famshme e Reçit, prodhimet e rralla të bylmetit me qumësht bjeshke, apo bimët e çmuara mjekësore dhe aromatike të Malësisë së Madhe.

Suksesi i Agro Reçit është fryt i bashkëpunimit, që në krye të herës, me dhjetëra fermerë e blegtorë anembanë krahinës.

Baxhoja moderne, por edhe inkubatori i gështenjave, apo depoja e grumbullimit të bimëve mjekësore janë pika referimi për shumë sipërmarrje të vogla bujqësore e blegtorale të zonës, duke kontribuar kështu në rritjen e punësimit dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të krejt territorit tonë.

Restoranti tradicional “Shporta e Reçit” është vendi i duhur për tu njohur e për ti shijuar në vetë të parë frytet mbresëlënëse të krahinës sonë të bekuar.

Baxhoja “Agro Reçi”

Natyra e bekuar e Alpeve Shqiptare, ku rriten të lira tufat e dhive e të lopëve të blegtorëve me të cilët bashkëpunojmë, është “sekreti” kryesor i prodhimeve tona 100% BIO.

Qumështin e freskët e grumbullojmë çdo ditë nga partnerët tanë, dhjetëra familje blegtorësh në një hapësirë të gjerë që shtrihet nga zona e Reçit, brenda parkut natyror të Shkrelit, deri lart në bjeshkë. Ky prodhim natyral përpunohet më pas në fabrikën tonë artizanale me teknologji bashkëkohore, në përputhje me të gjitha kërkesat e tregjeve të BE-së.

Puna, pasioni dhe përkushtimi i përditshëm na shpërblejnë me djathëra dhie, lope dhe kaçkavall me shije të rrallë, si edhe me një sasi të kufizuar, por tejet cilësore gjize, kosi dhe dhalle. Të gjitha prodhime mjaft të vlerësuara nga konsumatorët anembanë vendit dhe jo vetëm.

Inkubatori i Gështenjave të Reçit

Mikroklima e rrallë e krahinës së Reçit, në territorin e parkut natyror të Shkrelit është shndërruar në tre-katër shekujt e fundit në habitatin ideal të një bime të çmuar e të vlerëzuar anembanë botës, gështenjës.

Këto pemë të hijshme, të sjella këtu me gjasë nga ana tjetër e Liqenit të Shkodrës, kanë formuar ndër shekuj një pyll që shtrihet në mbi 450 hektarë, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për jetën e mjaft specieve të faunës së egwr, si edhe për zhvillimin e turizmit natyror.

Në vjeshtë, kur pemët vishen me një petk të bukur, të artë e të kuqërremtë, frytet e çmuara grumbullohen me dorë nga banorët e zonës. Ato shërbejnë pastaj gjatë gjithë vitit si bazë e disa prej specialiteteve kulinare me nam të krahinës.

Prej disa vitesh, një pjesë e rëndësishme e gështenjave të Reçit grumbullohen, thahen dhe tregtohen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të Bashkimit Europjan, nga Inkubatori i posaçëm, i menaxhuar nga Agro Reçi.

Bimët aromatike e mjekësore & specialitete të tjera

Agro Reçi është e specializuar gjithashtu në grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin me shumicë të bimëve të vlerësuara aromatike e mjekësore të krahinës së Malësisë së Madhe, si sherebela, trumza apo lavanda.  

Një vend me rëndësi në veprimtarinë tonë zënë edhe prodhimi e tregtimi i mjaltit biologjik, si edhe ai i frutave të egra të pyllit. 

Restoranti “Shporta e Reçit”

Nisma jonë me e re është celja e një prej restoranteve karakteristike më të njohura të zonës, tempullin e kulinarisë së veriut “Shporta e Reçit”.

Ku ti gjeni prodhimet tona  

Prodhimet tona mund ti gjeni në disa pika shitjeje në Malësinë e Madhe, si edhe drejtëpërdrejtë pranë baxhos sonë në Rr. Dëshmorët e Reçit, nr.3, në fshatin e njohur turistik të Reçit.

Prej vitesh shërbejmë me sukses edhe tregun e bylmetit në Kosovë, ku prodhimet me markën “Bjeshkët e Malësisë” janë gjithashtu shumë të vlerësuara.

Për tu njohur më mirë me ne, me krahinën apo me prodhimet e shërbimet tona ju ftojmë të na kontaktoni apo më mirë akoma, të na vizitoni.

Jeni përherë të mirëpritur!

Mos harroni të prenotoni!

Restoranti eshte i hapur nga e hena - shtunë nga ora:
13:00 - 22:00
Të dielën nga ora:
09:00 - 23:00